Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli sot, më datë 06.12.2024, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 10/2022, datë 15.02.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 479, datë 03.12.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Arben Dosti.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit, Arben Dosti. Avokatja Romina Zano, e pranishme në seancë, i paraqiti trupit gjykues një prokurorë të posaçme, nëpërmjet së cilës subjekti i rivlerësimit, z. Dosti, i delegonte të drejtat e përfaqësimit në procesin gjyqësor në Kolegj, pasi për pamundësi objektive, nuk mund të ishte i pranishëm. Avokatja, znj. Romina Zano, deklaroi se prokura që dispononte ishte një fotokopje dhe nuk ishte në formën e kërkuar nga ligji.

I pyetur nga kryesuesja për qëndrimin e tij, Komisioneri Publik deklaroi se duke qenë se regjistrat noterialë janë regjistra publikë, mund të vërtetoheshin ekstremitetet e prokurës së posaçme, me qëllim legjitimimin e avokates në proces.

Trupi gjykues, pasi u konsultua vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore publike për datën 13.12.2024 ora 09:00, për t’i dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit të paraqitet personalisht në seancë gjyqësore ose nëpërmjet një përfaqësuesi ligjor të pajisur me një akt përfaqësimi në formën e kërkuar nga ligji.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.