Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 06.12.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 35/2022, datë 25.07.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 537, datë 20.06.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Florian Bonjaku.
Duke i qëndruar shkaqeve të ankimit dhe qëndrimit të mbajtur në seancën e datës 02.12.2024, Komisioneri Publik i kërkoi përfundimisht Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 537, datë 02.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra e subjektit të rivlerësimit Florian Bonjaku.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, referuar kriterit të pasurisë, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit deklaroi se Komisioneri Publik ka ngritur pretendimet e tij në ankim, pa vlerësuar objektivisht rrethanat, në të cilat janë bërë deklarimet e subjektit të rivlerësimit për pasurinë. Përfaqësuesi ligjor dha shpjegime për të gjitha çështjet e referuara në ankim edhe për dy kriteret e tjera, atë figurës dhe të aftësive profesionale, duke i kërkuar përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 537, datë 2.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 19.12.2024, ora 15:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.