Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli sot, më datë 10.12.2024, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 23/2024, datë 25.06.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 767, datë 29.05.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Sofia Zhilla.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit Sofia Zhilla dhe bëri me dije se deri para fillimit të seancës së sotme, në Kolegj nuk kishte ardhur ndonjë njoftim lidhur me këtë mungesë ose arsyet e saj. Kryesuesja informoi gjithashtu, se subjekti i rivlerësimit ka ushtruar të drejtat për dërgimin e parashtrimeve, parashtrimeve shtesë, respektivisht në datat 3 dhe 4 dhjetor 2024, si dhe ka paraqitur disa akte, të cilat, ka kërkuar të pranohen në cilësinë e provës nga Kolegji.

Nisur nga fakti se nuk ka njoftuar për ndonjë shkak të arsyeshëm për mungesën e saj, Komisionerja Publike deklaroi se gjykimi duhet të vijojë pa praninë e subjektit të rivlerësimit, znj. Sofia Zhilla.

Trupi gjykues vendosi të vijojë seancën në mungesë dhe ftoi Komisioneren Publike të paraqesë parashtrimet e saj. Komisionerja Publike deklaroi se duke marrë parasysh faktin që subjekti i rivlerësimit ka mbushur moshën e pensionit dhe se objekti i gjykimit është bërë i pamundur, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 767, datë 29.05.2024. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e pati deklaruar të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Sofia Zhilla pa një vendim përfundimtar, për shkak se ajo ka humbur statusin e subjektit të rivlerësimit.

Trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes dhe pranoi në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, përveç dy prej tyre që mund të aksesohen nga burime të hapura të informacionit.

Pasi trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes, Komisionerja Publike kërkoi që parashtrimet e seancës së sotme të konsiderohen si konkluzione përfundimtare dhe përfundimisht, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 767, datë 29.05.2024.

Trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 12.12.2024, ora 14:30.

Seanca në seancë publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.