
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 13.02.2025, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 19/2024, datë 29.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 730, datë 10.01.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Valentin Preçi.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit paraqiti disa akte të reja për të kundërshtuar shkaqet e ankimit që lidhen me konfliktin e mundshëm të interesit të subjektit të rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës. Lidhur me denoncimet, ajo u shpreh se ndan të njëjtin qëndrim me atë të shprehur nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme gjatë seancës së mëparshme, se nuk përmbajnë shkaqe të mjaftueshme për hetime të mëtejshme.
Lidhur me gjetjen e vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, përfaqësuesja ligjore i kërkoi Kolegjit të konsiderojë të papërdorshme aktet shkresore të referuara si bazë për këtë gjetje, pasi sipas saj janë administruar në tejkalim të kompetencave nga një subjekt jo i parashikuar në Kushtetutë dhe ligj. Për rrjedhojë, vlerësoi edhe gjetjen si një opinion të ngritur nga një provë nën këtë sanksion, duke kërkuar që gjetja të përjështohet nga vlerësimi dhe debati gjyqësor në këtë fazë gjykimi.
Sa i përket anës përmbajtësore të gjetjes, përfaqësuesja ligjore pretendoi të kundërtën e rrethanave të përshkruara në të, duke paraqitur disa akte të reja në mbështetje të pretendimeve të saj.
I pyetur nga kryesuesja e seancës, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Altin Dumani u shpreh për pranimin në cilësinë e provës të akteve që lidhen me konfliktin e mundshëm të interesit, ndërsa vlerësoi si të panevojshëm administrimin e akteve të lidhura me gjetjen. Lidhur me këtë të fundit, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, u shpreh se provat në të, tregojnë rrethana të ndryshme nga ato të përshkruara nga subjekti i rivlerësimit dhe se duhet të merren në shqyrtim nga Kolegji si prova që dëshmojnë për një sjellje të subjektit të rivlerësimit që bie ndesh me etikën e magjistratit.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi:
– Të pranojë në cilësinë e provës gjetjen e paraqitur prej vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe dokumentacionin shoqërues të saj;
– të pranojë në cilësinë e provës aktet e paraqitura gjatë seancës së sotme nga përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit;
– të mos hetojë për denoncimet e publikut, pasi nuk përmbajnë rrethana të mjaftueshme për hetime të mëtejshme.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, në seancën e radhës, më datë 18.02.2025, ora 9:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.