
Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli më datë 20.03.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 41/2024, datë 21.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 762, datë 15.05.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Afrim Shehu.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mosprezencën e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, i legjitimuar si palë në këtë proces bazuar në nenin 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 199 të Kodit të Procedurës Civile, dispozita këto që parashikojnë kalimin procedural të kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.
Kryesuesja informoi se nëpërmjet një shkrese të mbërritur në Kolegj ditën e sotme, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kishte bërë me dije se, për arsye objektive, e kishte të pamundur pjesëmarrjen në seancë dhe kërkonte shtyrjen e saj.
Pasi dëgjoi qëndrimin e përfaqësuesës ligjore të subjektit të rivlerësimit që u shpreh për shtyrjen e seancës, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 02.04.2025, ora 13:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.