Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 5 qershor 2019, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr.13/2018, datë 07.09.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr.32, datë 05.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Alma Brati.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, subjekti i rivlerësimit paraqiti disa akte të reja shkresore që kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues, në funksion të objektit të procesit gjyqësor.
Në bazë të nenit 213 të Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi të lejojë marrjen si provë të akteve shkresore të depozituara nga subjekti i rivlerësimit Alma Brati.
Pas një kërkese paraprake të subjektit të rivlerësimit, Komisioneri Publik saktësoi kufijtë e shkaqeve të ankimit në mënyrë të përmbledhur.
Subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues që këtë pohim të Komisionerit Publik mbi shkaqet e ankimit, ta bëjë pjesë të provave të pranuara gjatë seancës së sotme. Trupi gjykues e refuzoi këtë kërkesë të subjektit të rivlerësimit, pasi vlerësoi se nuk gjendet në kushtet e nenit 283 të Kodit të Procedurës Civile dhe si rrjedhojë, parashtrimi i Komisionerit Publik nuk mund të trajtohet si një pohim gjyqësor. Trupi gjykues i dha vlerë faktit që subjekti i rivlerësimit mori përgjigje shteruese nga Komisioneri Publik.
Subjekti i rivlerësimit deklaroi se ndodhet në kushtet kur organet shtetërore përgjegjëse nuk arrijnë t’i vënë në dispozicion dokumentacionin e plotë justifikues të të ardhurave nga puna e personave të tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit, rrjedhimisht, i kërkoi trupit gjykues të përcaktojë nivelin e provueshmërisë të të gjitha akteve të depozituara deri tani për t’u konsideruar në cilësinë e provës, në këndvështrim të nenit 32/2 dhe nenit 52/2 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Në këndvështrim të këtyre neneve, subjekti i rivlerësimit kërkoi që trupi gjykues të shprehet mbi vlerën që do të kenë provat në analizën financiare, vërtetësinë e tyre dhe pamundësinë objektive për të paraqitur provat e plota. Për të pasur në dispozicion kohën e nevojshme për t’u shprehur lidhur me këtë kërkesë të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datë 17.06. 2019, ora 14.30.
Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.