Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 12 qershor 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.30/2018, datë 06.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 43, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Nertina Kosova.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit mbi kriterin e pasurisë dhe kërkoi çeljen e hetimit mbi kontrollin e burimit të të ardhurave për krijimin e pasurive të subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të.
Subjekti i rivlerësimit, znj.Kosova, parashtroi prapësimet e saj ndaj shkaqeve të ankimit të paraqitura nga Komisioneri Publik, paraqiti akte shkresore që kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues, në funksion të objektit të procesit gjyqësor, si dhe i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, lënien në fuqi të vendimit nr.43, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Komisioneri Publik deklaroi se nga pikëpamja formale, aktet shkresore të paraqitura përmbushin të gjitha kërkesat ligjore për t’u marrë në cilësinë e provës.
Për t’i dhënë kohën e nevojshme Komisionerit Publik të shprehet lidhur me përmbajtjen e këtyre akteve, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për ditën e premte, datë 21 qershor 2019, ora 10:00, séancë, gjatë së cilës, trupi gjykues do të shprehet lidhur me pranimin ose jo në cilësinë e provës, të akteve shkresore të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.