
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 24.06.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 6/2023, datë 03.02.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 598, datë 13.12.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Genci Mane.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199 i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm dhe nuk mbulon me burime të ligjshme pasurinë e tij. Sa i përket vlerësimit të aftësive profesionale, z. Adnan Xholi i kërkoi Kolegjit që, mangësitë e përsëritura, të vërejtura gjatë ushtrimit të detyrës nga subjekti i rivlerësimit, t’i vlerësojë së bashku me problematikat në kriterin e vlerësimit të pasurisë, pasi mund të çojnë në një përfundim të ndryshëm nga ai i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që e ka konfirmuar në detyrë.
Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, ndaj, kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 598, datë 13.12.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Genci Mane dhe shkarkimin e tij nga detyra.
Subjekti i rivlerësimit dha shpjegimet e tij në përgjigje të shkaqeve të ankimit, duke paraqitur edhe disa akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Kryesuesja e seancës gjyqësore informoi se palëve u janë vënë në dispozicion dy denoncime, lidhur me të cilat, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se nuk përmbajnë shkaqe të mjaftueshme për hetime të mëtejshme.
Subjekti i rivlerësimit dha shpjegimet e tij lidhur me denoncimet dhe depozitoi disa akte lidhur me to, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues. Në vijim, subjekti i rivleresimit iu përgjigj edhe disa pyetjeve të drejtuara nga relatorja e çështjes.
Pasi u konsultua, trupi gjykues, vendosi:
Të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit në parashtrime dhe në seancën e sotme gjyqësore, si më poshtë:
Për aktet bashkëlidhur parashtrimeve:
- Kontratat e dhurimit dhe shkresa e OSHEE-së, sipas ekstremiteteve të cituara në parashtrime;
- 10 kontratat e shitblerjes – në kushtet kur janë të administruara në fashikullin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit – nuk është e nevojshme që të administrohen sërish;
- Akti i ekspertimit financiar – të konsiderohet si pjesë përbërëse e parashtrimeve.
Trupi gjykues gjithashtu, vendosi:
- Të administrojë në cilësinë e provës aktet e paraqitura në seancën e sotme gjyqësore
- Të mos çelë hetim lidhur me denoncimet, sepse nuk plotësohen kërkesat e nenit 53 të ligjit 84/ 2016.
- T’i drejtohet Furnizuesit të Shërbimit Universal Tiranë, Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Drejtoria Rajonale Fier si dhe Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Sh.A Fier për informacion dhe dokumentacion shtesë në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Përgjigjet e sjella nga këta operatorë do t’u vihen në dispozicion palëve, menjëherë sapo të mbërrijnë në Kolegj.
Në pritje të këtyre përgjigjeve, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 14.07.2025, ora 13:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.