Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 25.06.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 56/2024, datë 27.12.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 811, datë 08.11.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Eranda Laze.

Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199 i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.

Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë si dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar pasurinë e saj dhe të personave të lidhur me të. Z. Adnan Xholi deklaroi se ndan qëndrim të ndryshëm me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit lidhur me vlerësimin e kritereve të figurës dhe të aftësive profesionale, pasi subjekti i rivlerësimit ka treguar mangësi në tregimin e një kujdesi të shtuar në veprimtarinë jashtëgjyqësore.

Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit të marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit, duke vendosur ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 811, datë 08.11.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Eranda Laze.

Subjekti i rivlerësimit, znj. Eranda Laze, kundërshtoi shkaqet e ankimit, duke i konsideruar si të pabazuara, me karakter hipotetik dhe rezultat i keqinterpretimit të provave të depozituara e shpjegimeve të dhëna prej saj gjatë procesit të zhvilluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në mbështetje të pretendimeve të saj, subjekti i rivlerësimit depozitoi disa akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues. Subjekti i rivlerësimit kërkoi rrëzimin e ankimit të Komisionerit Publik dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 811, datë 08.11.2024.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke vendosur të pranojë në cilësinë e provës njërin prej akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit; të vlerësojë autenticitetin e disa dokumenteve nëpërmjet një sistemi, në të cilin ka të drejtën e aksesit; refuzimin e dy akteve të tjera, duke i dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit t’i paraqesë në formën e kërkuar nga ligji, nëse i konsideron të rëndësishme për çështjen.

Seanca vijoi me disa pyetje të adresuara për palët nga relatori i çështjes në funksion të shqyrtimit të saj, lidhur me të cilat, subjekti i rivlerësimit, znj. Eranda Laze dha shpjegimet e saj, ndërsa përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi kohë të arsyeshme për përgatitjen e përgjigjeve.

Trupi gjykues, pasi vlerësoi kërkesën e z.Adnan Xholi, vendosi të administrojë në cilësinë e provës aktet e katër fashikujve që i përkasin një procedimi penal të përcjellë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pas mbylljes së hetimit administrativ.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 09.07.2025, në orën 11:00, për t’i dhënë kohë përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme për t’ju përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga relatori i çështjes. Palët u ftuan që gjatë kësaj séance, nëse nuk do te kenë kërkesa të tjera për vijimin e hetimit gjyqësor, të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare të çështjes.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.