
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 07.07.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 43/2024, datë 05.11.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 802, datë 23.09.2024, për subjektin e rivlerësimit Flora Çela.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Altin Dumani, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se evidentohen problematika në kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, të tilla, që nuk mund të korrigjohen me programin e trajnimit të Shkollës së Magjistraturës dhe se subjekti i rivlerësimit, znj. Flora Çela, me veprimet dhe mosveprimet e saj gjatë ushtrimit të detyrës ka cenuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 802, datë 23.09.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Flora Çela.
Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të saj, deklaroi se ankimi i Komisionerit Publik për kriterin e vlerësimit profesional, jo vetëm nuk mbështetet në elementë objektivë e të dhëna faktike, por edhe bie ndesh me vlerësimet që institucionet përkatëse të sistemit të drejtësisë kanë kryer për znj. Flora Çela sa i përket aftësive profesionale. Subjekti i rivlerësimit kërkoi rrëzimin si të pabazuar në prova të ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 802, datë 23.09.2024. Bashkëlidhur parashtrimeve, subjekti i rivlerësimit depozitoi akte të reja, duke kërkuar nga Kolegji pranimin e tyre në cilësinë e provës.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh dakord për pranimin e akteve të depozituara në cilësinë e provës.
Pasi subjekti i rivlerësimit dëgjoi disa opinione të vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, si dhe iu përgjigj disa pyetjeve të tij dhe të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues u këshillua dhe vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar si provë aktet e depozituara në formë shkresore nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit më datë 14.11.2024, si dhe aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, bashkëlidhur parashtrimeve.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Për t’u dhënë kohë palëve për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 14.07.2025, ora 14:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.