
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 09.07.2025, ora 14:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 8/2023, datë 24.02.2023 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 600, datë 19.12.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Robert Kote.
Në vijim të seancës së mëparshme, të zhvilluar më datë 03.07.2025, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho, i pyetur nga trupi gjykues nëse si ankues ka hequr dorë nga ankimi bazuar në dispozitat procedurale, qartësoi kërkimin e tij përfundimtar.
Ai deklaroi se kërkimi përfundimtar nuk është heqja dorë nga ankimi, por, që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga Kolegji, që prapësimet dhe provat e administruara gjatë procesit të merren në konsideratë dhe të gjykohen prej tij, në mënyrë që të mospamundësohet kontrolli i vendimit të Komisionit nga ana e Kolegjit. Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 600, datë 19.12.2022 dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, duke e vlerësuar një zgjidhje të drejtë të çështjes.
Pasi dëgjoi kërkimin përfundimtar të ankuesit, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 18.07.2025, ora 09:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.