Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 21 qershor 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.30/2018, datë 06.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 43, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Nertina Kosova.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, trupi gjykues vendosi të marrë në cilësinë e provës, në funksion të hetimit gjyqësor, aktet shkresore të depozituara nga subjekti i rivlerësimit seancën paraardhëse.

Komisioneri Publik i konsideroi të mjaftueshme këto prova, për të mundësuar një hetim të plotë bazuar në shkaqet e ankimit.

Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji kualifikimin e një të afërmi të subjektit të rivlerësimit si person tjetër i lidhur me të dhe kryerjen e një analize financiare për të vlerësuar mundësitë financiare të tij, bazuar në provat e reja.

Trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik për të kryer këtë analizë financiare, të cilën do t’ia prezantojë subjektit të rivlerësimit dhe Komisionerit Publik në seancën e ardhshme, më datë 26 qershor, ora 13.00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.