Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 26 qershor 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.30/2018, datë 06.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 43, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Nertina Kosova.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, relatorja e çështjes i drejtoi subjektit të rivlerësimit, zonjës.Kosova, disa pyetje rreth situatës faktike financiare, bazuar në provat e depozituara, në funksion të hetimit gjyqësor. Subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur specifikisht pyetjeve, një kopje e të cilave iu vendos në dispozicion nga trupi gjykues.

Nga ana e tij, Komisioneri Publik përsëriti qëndrimin se i konsideron të mjaftueshme provat e administruara, për të mundësuar një hetim të plotë bazuar në shkaqet e ankimit. I pyetur nga trupi gjykues mbi kufijtë e shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se mbi shkaqet e ankimit do të mbajë qëndrim përfundimtar në një fazë të mëvonshme të procesit.

Trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit, duke vendosur të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 3 korrik 2019, ora 10:00. Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.