Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 3 korrik 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.30/2018, datë 06.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 43, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Nertina Kosova.

Subjekti i rivlerësimit iu përgjigj specifikisht pyetjeve rreth situatës faktike financiare që relatorja e çështjes i drejtoi seancën pararendëse, edhe pse i konsideroi si pyetje që tejkalojnë shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik.

Trupi gjykues, pasi u njoh me një kërkesë të subjektit të rivlerësimit, znj. Kosova, për të marrë në cilësinë e provës disa akte shkresore të depozituara prej saj seancën e sotme dhe pasi dëgjoi edhe opinionin e Komisionerit Publik lidhur me këto akte të reja, vendosi t’i marrë ato si provë në funksion të gjykimit të çështjes.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 12.07.2019, ora 10.30, për t’i lënë kohë Njësisë së Shërbimit Ligjor për të përgatitur analizën financiare të kërkuar nga Komisioneri Publik, bazuar edhe në provat e reja.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.