Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 09.07.2019, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.29/2018, datë 05.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Gentian Medja.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, trupi gjykues u dorëzoi palëve një projekt paraprak të metodologjisë së propozuar në ankimin e paraqitur nga Komisioneri Publik.

Trupi gjykues ftoi palët të paraqesin opinionet e tyre mbi këtë projekt – metodologji, si në përgjithësi, ashtu edhe për elementët përbërës të saj, si dhe për mënyrën e zbatimit.

Në mënyrë të posaçme, trupi gykues ftoi Komisionerin Publik të detajojë kërkimin e tij për hetime të mëtejshme në drejtim të treguesve të metodologjisë, për të cilat rezulton se nuk ka të dhëna apo informacione në dosjen e administruar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Për t’u dhënë palëve kohën e nevojshme për të paraqitur opinionet e tyre, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 17.07.2019, ora 10.00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.