Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 10 korrik 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.23/2018, datë 19.10.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 46, datë 24.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Xhezair Zaganjori.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, Komisioneri Publik parashtroi vlerësimin e tij në këndvështrimin formal dhe të përmbajtjes për provat që subjekti i rivlerësimit Xhezair Zaganjori depozitoi pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në seancën e datës 25 qershor 2019, si dhe u shpreh se vijon t’u qendrojë shkaqeve të ankimit, pa ndryshuar asnjë rrethanë të tyre.

Subjekti i rivlerësimit Xhezair Zaganjori paraqiti komente shtesë mbi parashtrimet e Komisionerit Publik në seancën paraardhëse, si dhe i mbështeti ato në disa akte të reja shkresore, të cilat kërkoi që të depozitoheshin si prova pranë trupit gjykues.

Më tej, Komisioneri Publik, pasi bëri një vlerësim edhe të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit në seancën e sotme dhe ripërsëriti se i qëndronte shkaqeve të ankimit, i kërkoi Kolegjit të shprehet për to.

Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit Xhezair Zaganjori zhvilluan debatin gjyqësor mbi vlerën e provave të reja, duke parashtruar edhe pretendimet e tyre lidhur me to.

Trupi gjykues, pasi u tërhoq për vendimmarrje lidhur me administrimin e akteve, vendosi të lejojë marrjen si provë të akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit në seancën e datës 25 qershor 2019 si dhe në seancën e sotme, datë 10 korrik 2019.

Trupi gjykues deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi palët të parashtrojnë konkluzionet përfundimtare rreth çështjes në gjykim, në seancën që do të zhvillohet më datë 17.07.2019, ora 14.00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.”