
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 11 korrik 2019, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.36/2018, datë 04.12.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 61, datë 02.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Gentjan Osmani.
Gjatë seancës së sotme, Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit, ndërsa subjekti i rivlerësimit, parashtroi kundërshtimet e tij ndaj ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, si dhe i kërkoi trupit gjykues të riçelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës, disa akte të reja që i depozitoi pranë trupit gjykues.
Komisioneri Publik i kërkoi trupit gjykues të marrë në konsideratë një denoncim për subjektin e rivlerësimit që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka adresuar institucionit të Komisionerit Publik dhe që ky i fundit e ka përfshirë në shkaqet e ankimit. Me kërkesë të relatores së çështjes, Komisioneri Publik saktësoi elementët kryesorë të denoncimit, mbi të cilat i kërkohet Kolegjit të kryejë hetim të detajuar.
Trupi gjykues, pasi u tërhoq për vendimmarrje, vendosi të çelë hetimin gjyqësor për gjykimin e çështjes dhe të lejojë marrjen si provë të akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit seancën e sotme.
Gjithashtu, në përgjigje të kërkimeve të Komisionerit Publik për hetim, trupi gjykues vendosi të kërkojë informacion nga Prokuroria e Përgjithshme dhe të dhëna nga sistemi TIMS, në funksion të hetimit mbi këtë denoncim.
Për sa më sipër, si dhe për t’i lënë kohë Komisionerit Publik të shprehet lidhur me përmbajtjen e provave, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 15.07.2019, ora 13.30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.