Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 17 korrik 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.23/2018, datë 19.10.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 46, datë 24.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Xhezair Zaganjori.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, palët parashtruan konkluzionet përfundimtare rreth çështjes në gjykim. Komisioneri Publik vlerësoi se edhe pas akteve të reja të shqyrtuara gjatë procesit, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive të tij dhe se parashtrimet e tij mbetën në nivel deklarativ.

Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 46, datë 24.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Xhezair Zaganjori.

Subjekti i rivlerësimit Xhezair Zaganjori kundërshtoi konkluzionet e Komisionerit Publik, duke deklaruar se të gjitha të dhënat, faktet, rrethanat, provat e reja të depozituara prej tij gjatë procesit, i kundërpërgjigjen të gjitha shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik.

Trupi gjykues pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare, vendosi të shpallë vendimin përfundimtar ditën e premte, më 26 korrik 2019, ora 11.00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.”