Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 24 korrik 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.35/2018, datë 23.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, si dhe ankimit të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit Valbona Bala (Pajo), kundër vendimit nr. 65, datë 13.09.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që ka vendosur nderprerjen e procesit te rivleresimit per subjektin e rivlerësimit Valbona Bala (Pajo).

Gjatë seancës gjyqësore, pasi trupi gjykues vendosi të shqyrtojë së bashku të dyja ankimet, palët paraqitën shkaqet respektive të ankimit.

Komisioneri Publik pretendoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e  procesit të rivlerësimit kalimtar të Valbona Bala (Pajo), nuk është i drejtë, nuk argumenton në mënyrë shteruese natyrën specifike të statusit ligjor të subjektit, dhe është marrë pa u verifikuar vullneti i lirë i subjektit të rivlerësimit për dorëheqje. Por, pavarësisht këtyre pretendimeve, në konsideratë të kërkimit të subjektit të parashtruar në ankim, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 65, datë 13.9.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke e plotësuar dispozitivin e tij me ndalimin e parashikuar nga neni G, paragrafi i dytë i Aneksit të Kushtetutës.

Subjekti i rivlerësimit deklaroi se vendimi n.65, datë 13.9.2018, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, është i paarsyetuar, i pambështetur në prova dhe në kapërcim të kompetencave ligjore te Komisionit. Znj.Bala i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 65, datë 13.9.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në pjesën arsyetuese të tij, duke hequr nga kjo pjesë ndalimin e parashikuar nga neni G, paragrafi i dytë i Aneksit të Kushtetutës.

Pasi vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe pas parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare nga palët në proces, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 25.07.2019, ora 13.30.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.