Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 24 korrik 2019, ora 13:30, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.36/2018, datë 04.12.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 61, datë 02.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Gentjan Osmani.
Gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare, Komisionieri Publik i qëndroi kërkesës për ndryshimin e vendimit nr.61, datë 02.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gentjan Osmani.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi secilin prej shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, bazuar në të gjitha provat e depozituara prej tij gjatë procesit gjyqësor dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.61, datë 02.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 31.07.2019, ora 10.00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë