Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 16.12.2019, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.40/2018, datë 18.12.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 63, datë 06.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Arben Dollapaj.

Gjatë parashtrimit të vlerës provuese të akteve të paraqitura në seancën parardhëse nga subjekti i rivlerësimit, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit çeljen e hetimit gjyqësor dhe informacione shtesë nga institucionet shtetërore, në funksion të hetimit.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi çeljen e hetimit gjyqësor dhe lejimin e marrjes akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit në seancën e mëparshme.

Trupi gjykues vendosi të kërkojë nga institucionet shtetërore dokumentacion shtesë në funksion të hetimit pasuror: nga ZVRPP Tropojë, nga Bashkia Tropojë, nga ministria përgjegjëse për Turizmin, nga Drejtoria Rajonale Tatimore Kukës, nga Ministria e Drejtësisë, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, si dhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Këtë dokumentacion, trupi gjykues e konsideroi të nevojshëm për çështjen.

Trupi gjykues i kërkoi Komisionerit Publik që deri në seancën e ardhshme, e cila do të zhvillohet më datë 16 janar 2020, ora 10:00, të paraqesë vlerësimin e tij, lidhur me mënyrën e trajtimit të denoncimeve të publikut. Kjo periudhë kohore iu la në dispozicion edhe subjektit të rivlerësimit të paraqesë çdo provë që e konsideron të nevojshme në funksion të shqyrtimit të çështjes.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.