Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 16.01.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.40/2018, datë 18.12.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 63, datë 06.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Arben Dollapaj.

Kryesuesi i seancës deklaroi se institucionet shtetërore, përveç Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, kanë kthyer përgjigje lidhur me dokumentacionin shtesë të kërkuar nga Kolegji në funksion të shqyrtimit të çështjes.

Në përgjigje të kërkesës së trupit gjykues gjatë seancës paraardhëse, Komisioneri Publik shprehu vlerësimin e tij mbi mënyrën e trajtimit të denoncimeve të publikut. Komisioneri Publik vlerësoi se të dhënat e një pjese të denoncimeve i ka pasqyruar në shkaqet e ankimit, ndërsa për pjesën tjetër, deklaroi se nuk përmbajnë shkaqe të mjaftueshme për hetim të mëtejshëm nga Kolegji.

Në përgjigje të shkaqeve të ankimit, subjekti i rivlerësimit paraqiti akte të reja shtesë, të cilat, kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues.

Trupi gjykues vendosi t’u vërë në dispozicion palëve përgjigjet e ardhura nga institucionet shtetërore, ndërsa subjektit të rivlerësimit, do t’i vihen në dispozicion edhe denoncimet e publikut.

Për t’u lënë në dispozicion palëve kohë të arsyeshme për t’u shprehur lidhur me formën dhe përmbajtjen e materialeve të prezantuara në këtë seancë, trupi gjykues vendosi që seanca të ndërpritet, për të vijuar më datë 04.02.2020, në orën 10:00.

 

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.