Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 20.01.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 12/2019, datë 22.02.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Besnik Cani.

Në fillim të seancës, subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet avokatit të tij, paraqiti një kërkesë paraprake të depozituar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për përjashtimin nga trupi gjykues, të dy anëtarëve të tij, gjyqtarëve Ardian Hajdari dhe Luan Daci.

Kryesuesja e seancës bëri me dije se Kolegji do të vijojë procedurat për hedhjen e shortit, nëpërmjet të cilit do të caktohet trupi gjykues që do të shqyrtojë kërkesën për përjashtim të dy gjyqtarëve, ndërkohë që procesi gjyqësor do të vijojë bazuar në nenin 75, paragrafi i fundit i Kodit të Procedurës Civile.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit paraqiti edhe dy kërkesa të tjera paraprake:

  1. Pezullimin e procesit të rivlerësimit për z.Besnik Cani deri në përfundimin e mandatit si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë; bazuar në nenin 179/b, aneksin e Kushtetutës në tërësinë e vet dhe nenin 4 pika 6, nenin 65 të ligjit 84/2016 dhe duke vlerësuar se nuk ndodhet në kushtet e nenit 297 të Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi të rrëzojë kërkesën, si të pabazuar në ligj.
  2. Mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik përsa i përket 4 çështjeve që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur t’ia përcjellë organit kompetent për inspektim të shkeljeve të mundshme ligjore nga ana e subjektit te rivleresimit; bazuar në dispozitat e neneve 4 pika 6 dhe 65 të ligjit 84/2016 dhe nenin 450, pika 3 të Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vlerësoi të mos shprehet në këtë fazë të procesit. Për këtë kërkesë, trupi gjykues ruan të drejten të shprehet në një fazë tjetër ose në vendimin përfundimtar.​

Pas këtij vendimi të ndërmjetëm, Komisioneri Publik paraqiti shkaqet e ankimit, duke kërkuar ndryshimin e vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit parashtroi prapësimet lidhur me këto shkaqe ankimi dhe në përgjigje të tyre, depozitoi pranë trupit gjykues, akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen si provë.

Për t’i lënë kohë të arsyeshme Komisionerit Publik të shprehet lidhur me këto akte, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 11 shkurt, ora 10.00. Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.