Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 04.02.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.40/2018, datë 18.12.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 63, datë 06.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Arben Dollapaj.
Duke shprehur qëndrimin e tij lidhur me materialet e prezantuara gjatë seancës paraardhëse, Komisioneri Publik deklaroi se aktet e depozituara deri në këtë fazë të procesit, në tërësinë e tyre, janë të pamjaftueshme për t’iu përgjigjur shkaqeve të ankimit.
Subjekti i rivlerësimit u shpreh se nuk kishte prapësime lidhur me qëndrimin e Komisionerit Publik, pasi edhe sipas tij, përgjigjet e ardhura nga institucionet shtetërore nuk përmbajnë informacion provues në funksion të shkaqeve të ankimit. Subjekti i rivlerësimit u shpreh i gatshëm të sjellë informacione shtesë në këtë kuadër.
Trupi gjykues, pasi u konsultua, vendosi të administrojë një leje ndërtimi dhe zhvillimi të një objekti në Valbonë, dokument ky i depozituar nga subjekti i rivlerësimit në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Trupi gjykues vendosi gjithashtu, të kërkojë informacione shtesë nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion në kuadër të një denoncimi të ardhur për subjektin e rivlerësimit, të cilin Komisioneri Publik e ka përfshirë në shkaqet e ankimit.
Në respektim të afateve që i nevojiten institucioneve të përgjigjen zyrtarisht, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 25.02.2020, ora 11:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.