Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 03.03.2020, ora 11:30, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.13/2019, datë 27.02.2019 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 90, datë 20.12.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Adnand Kosova.

Gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik i qëndroi kërkesës për ndryshimin e vendimit nr.90, datë 20.12.2018 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Adnand Kosova.

Në përgjigje të parashtrimit të Komisionerit Publik, subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk arrin të identifikojë asnjë shkak të ligjshëm ankimi dhe kërkoi lënien në fuqi vendimit nr.90, datë 20.12.2018.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 13.03.2020, ora 15.30.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.