Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 02.07.2020, ora 09:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.44/2019, datë 18.09.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, kundër vendimit nr. 162, datë 19.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Manjola Kajana.

Kryesuesja e seancës bëri me dije se deri ditën e sotme, pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, nuk kanë mbërritur informacionet shtesë që trupi gjykues vendosi t’ia kërkonte bashkisë Fier, seancën paraardhëse, në funksion të hetimit gjyqësor të çështjes.

Rrjedhimisht, trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi t’i rikërkojë Bashkisë Fier, aplikimin e bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit dhe dokumentet mbështetëse që kanë shërbyer si bazë për vendimin nr. 46, datë 30.10.2012 të Këshillit Bashkiak Fier, që ka miratuar listën emërore të familjeve të pastreha, pjesë e së cilës ishte dhe bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit Manjola Kajana.

Në pritje të kësaj përgjigjeje, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 07.07.2020, ora 9.00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.