Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 07.07.2020, ora 09:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.44/2019, datë 18.09.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, kundër vendimit nr. 162, datë 19.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Manjola Kajana.
Kryesuesja e seancës bëri me dije se ditën e djeshme, më datë 6 korrik, në Kolegj ka mbërritur përgjigjja e bashkisë Fier me informacionin shtesë të kërkuar nga trupi gjykues në funksion të hetimit gjyqësor të çështjes. Pasi palët konfirmuan se ishin njohur me këtë përgjigje, trupi gjykues vendosi ta administrojë në cilësinë e provës dhe ta bëjë pjesë të fashikullit gjyqësor.
Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të shprehin konkluzionet përfundimtare.
Gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik u shpreh se aktet e administruara përmbushin nevojat e hetimit dhe bazuar në to, nuk provohet që subjekti i rivlerësimit, znj.Kajana, të ketë qenë në kushtet e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit të magjistratit dhe po ashtu, denoncimet e ardhura në adresë të saj, nuk kanë gjetur asnjë mbështetje ligjore. Për këto arsye, Komisioneri Publik kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.162, datë 19.06.2019 dhe konfirmimin në detyrë të subjektin të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Manjola Kajana deklaroi se gjatë këtij hetimi gjyqësor, nuk u evidentua asnjë indicie, qoftë edhe minimale, për përfshirje të saj në aktivitete të papajtueshme me detyrën e magjistratit dhe rrjedhimisht, kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.162, datë 19.06.2019 dhe konfirmimin e saj në detyrë.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 10.07.2020, ora 09.00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.