Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 10.07.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 51/2019, datë 17.10.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 169, datë 26.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Regleta Panajoti.

Kryesuesi i seancës, pasi konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit edhe në seancën e sotme, njoftoi se Këshilli i Lartë Gjyqësor, më datë 08.07.2020, ka përcjellë pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendimin e tij nr. 239, datë 07.07.2020 “Për mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, znj. Regleta Panajoti”.

Ndërkohë, subjekti i rivlerësimit znj. Panajoti, nëpërmjet postës elektronike, i ka kërkuar Kolegjit ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të mbarimit të statusit të magjistratit sipas vendimit të KLGJ-së nr. 239 datë 07.07.2020.

Komisioneri Publik konstatoi se vendimi i KLGJ-së, nr. 239, datë 7.07.2020 është i ekzekutueshëm, por ende i ankimueshëm sipas parashikimeve të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Komisioneri Publik konstatoi gjithashtu, se subjekti i rivlerësimit ka shprehur vullnetin e ndërprerjes së procesit të rivlerësimit kalimtar, por nuk është shprehur në lidhje me vullnetin për të pranuar pasojën e ndërprerjes së këtij procesi, ndalimin e emërimit për një periudhë prej 15 vjetësh në organet e drejtësisë, sipas nenit G të Aneksit të Kushtetutës.

Komisioneri Publik, i kërkoi trupit gjykues që nëse vendos të ndërpresë procesin e rivlerësimit për znj. Regleta Panajoti, zbatimi i nenit G të Aneksit të Kushtetutës, duhet të jetë i plotë, bazuar në jurisprudencën e deritanishme të Kolegjit. 

 Trupi gjykues pasi u tërhoq për t’u konsultuar, me vendim të ndërmjetëm, vendosi:

  • T’i kërkojë Këshillit të Lartë Gjyqësor informacion dhe dokumentacion mbi mënyrën dhe formën e njoftimit të subjektit të rivlerësimit Regleta Panajoti lidhur me vendimin nr. 239, datë 07.07.2020, “Për mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, znj. Regleta Panajoti” me qëllim përllogaritjen nga ana e trupit gjykues të përfundimit të afatit ligjor lidhur me të drejtën e ankimit.
  • Në varësi të përgjigjes dhe informacionit të Këshillit të Lartë Gjyqësor lidhur me sa më sipër, Kolegji, para zhvillimit të seancës gjyqësore të radhës, do t’i kërkojë informacion Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, nëse subjekti i rivlerësimit e ka ushtruar të drejtën e ankimit kundër vendimit të sipërcituar të KLGJ-së brenda afatit ligjor.
  • Të ftojë subjektin e rivlerësimit të dëgjohet në seancën gjyqësore të radhës lidhur me çështjet e mësipërme dhe pasojat ligjore të ndërprerjes së procesit të rivlerësimit sipas parashikimeve të Aneksit të Kushtetutës dhe ligjit.

Në pritje të këtij informacioni, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike për në datën 30.07.2020, ora 10:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.