Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 22.07.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 23/2019, datë 08.05.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 112, datë 04.03.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Dritan Peka.

Gjatë parashtrimit të shkaqeve të ankimit që përfshijnë të trija kriteret e vlerësimit, Komisioneri Publik prezantoi edhe një analizë financiare të kryer prej tij, bazuar në të cilën, konstatoi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm bazuar në nenin 61, pika 3, dhe nenin 33, pika 5, germa a) e ligjit 84/2016.

Komisioneri Publik kërkoi marrjen në konsideratë të shkaqeve të ankimit, ndryshimin e vendimit nr.112 datë 04.03.2019 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit parashtroi kundërshtimet e tij ndaj ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, si dhe i kërkoi trupit gjykues të riçelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës, disa akte të reja që i depozitoi pranë trupit gjykues në funksion të shqyrtimit të çështjes.

Pasi u tërhoq për konsultim, me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi:

  1. Riçeljen e hetimit dhe lejimin e marrjes në cilësinë e provave të tre akteve të sjella nga subjekti i rivlerësimit: – shkresë nga Enti Kombëtar i Banesave; shkresë nga Prokuroria e Përgjithshme për hetimin disiplinor në adresë të subjektit të rivlerësimit dhe analizë financiare të sjellë nga subjekti i rivlerësimit.
  2. Trupi gjykues do të marrë vendim për kërkesën e parashtruar nga Komisioneri Publik në parashtrimet e tij në seancën e sotme për analizë financiare nga Kolegji, pasi të dëgjojë nga Komisioneri Publik qëndrimin e tij pas shqyrtimit të akteve të sjella nga subjekti i rivlerësimit në cilësinë e provës.
  3. Trupi gjykues vendosi të mos hetojë për një denoncim të datës 15/04/2019, dërguar në adresën elektronike të Komisionerit Publik, pasi denoncimi nuk përmban indicie për prova në lidhje me kriteret e rivleresimit siç përcaktohet nga neni 53, pika 1 e ligjit 84/2016.
  4. Seanca shtyhet për në datën 14 shtator 2020, ora 10:00 per t’u dhënë mundësi palëve të shprehin qëndrimin e tyre, e konkretisht: Komisionerit Publik në lidhje me aktet e sjella nga subjekti i rivlerësimit në cilësinë e provës dhe subjektit të rivlerësimit në lidhje me denoncimet e përcjella nga Kolegji në adresë të tij, më datë 30 qershor 2020.​

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.