Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 27.07.2020, ora 09:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 21/2019, datë 24.04.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 103, datë 05.02.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Donika Prela.
Në fillim të seancës, kryesuesja bëri me dije se gjyqtari Luan Daci, njëri nga anëtarët e trupit gjykues të kësaj çështjeje, në vijim të vendimit nr.14, datë 24.07.2020 të Mbledhjes së Gjyqtarëve për pezullimin e tij nga detyra, ishte zëvendësuar me short me gjyqtaren Rezarta Schuetz.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit Donika Prela. Në mungesë të saj, bashkëshorti i znj.Prela, i paraqiti trupit gjykues një kërkesë të subjektit të rivlerësimit për shtyrje séance për arsye shëndetësore, të shoqëruar edhe me një raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë. Nëpërmjet kësaj kërkese, bazuar në nenin 174 dhe 175 të Kodit të Procedurës Civile, subjekti i rivlerësimit kërkonte shtyrjen e seancës për një periudhë 2-javore dhe njoftonte trupin gjykues se në vijim, do të caktonte një mbrojtës ligjor për të mos u bërë shkak i zvarritjes së procesit.
Trupi gjykues, pasi u njoh me kërkesën e subjektit të rivlerësimit dhe raportin mjekësor të paraqitur, vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 3.09.2020, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.