Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 11.09.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 21/2019, datë 24.04.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 103, datë 05.02.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Donika Prela.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit, Donika Prela dhe prezencën vetëm të përfaqësueses ligjore të saj. Pasi trupi gjykues u tërhoq për t’u konsultuar nëse kushtet e përfaqësimit të subjektit të rivlerësimit nga përfaqësuesja e saj ligjore ishin të plota, kryesuesja e seancës njohu palët me një deklaratë të mbërritur rishtas në Kolegj në mënyrë elektronike, nëpërmjet së cilës, dërguesja, Donika Prela shprehej që nuk do të merrte pjesë në séance dhe se do të përfaqësohej nga avokate Blerina Dodaj, në prezencë dhe në mungesë të saj.

Pasi palët kërkuan vazhdimin e gjykimit, duke u bazuar tek provat e reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit znj. Prela, përfaqësuesja e saj ligjore paraqiti prapësimet lidhur me secilin prej shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik.

Komisioneri Publik shprehu gadishmërinë e tij për të paraqitur konkluzionet përfundimtare gjatë seancës së sotme gjyqësore, ndërsa përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit i kërkoi kohë shtesë trupit gjykues, për t’i paraqitur konkluzionet pasi të dëgjojë Komisionerin Publik dhe pasi të konsultohet me subjektin e rivlerësimit.

Trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe vlerësoi si të pabazuar kërkesën e përfaqësueses ligjore të subjektit të rivlerësimit për të paraqitur konkluzionet përfundimtare, pasi të dëgjojë konkluzionet e Komisionerit Publik.

Trupi gjykues vlerësoi që konkluzionet e Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit duhet të paraqiten në të njëjtën seancë. Për këtë arsye, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 18.09.2020, ora 9.00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.