Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 14.09.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 23/2019, datë 08.05.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 112, datë 04.03.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Dritan Peka.
Në përmbushje të detyrave të lëna në seancën paraardhëse, Komisioneri Publik shprehu opinionin e tij lidhur me tri aktet e sjella nga subjekti i rivlerësimit në cilësinë e proves, po në seancën paraardhëse: – shkresën nga Enti Kombëtar i Banesave; shkresën nga Prokuroria e Përgjithshme për hetimin disiplinor në adresë të subjektit të rivlerësimit dhe analizën financiare të sjellë nga subjekti i rivlerësimit. I pyetur nga relatorja e çështjes nëse pas shqyrtimit të tri akteve të mësipërme, vazhdon t’i qëndrojë kërkesës së tij për kryerjen nga Kolegji të një analize të re financiare, Komisioneri Publik u shpreh se këtë e lë në vendimmarrjen e Kolegjit.
Bazuar në 10 akte të reja, të prezantuara dhe të depozituara gjatë seancës së sotme, subjekti i rivlerësimit rrëzoi të gjitha denoncimet e ardhura në adresë të tij, duke i konsideruar si dashakeqe dhe të pabazuara.
Pasi u tërhoq për konsultim, me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi:
- Lejimin e marrjes në cilësinë e provës të 10 akteve të sjella nga subjekti i rivlerësimit në seancën e sotme.
- Pranimin e kërkesës së Komisionerit Publik për kryerjen nga Kolegji të një analize financiare për vitet 2003 – 2016, të specifikuar në parashtrimet e tij të seancës së datës 22 korrik 2020.
- Shtyrjen e seancës gjyqësore publike për në datën 02.10. 2020, ora 10:00, për të mundësuar jo më vonë se data 24 shtator 2020, dërgimin paraprakisht, Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit, të analizës financiare që do të kryhet në Kolegj, me qëllim njohjen e tyre me të.
- Trupi gjykues sjell në vëmendje të palëve që në funksion të efikasitetit të procesit gjyqësor, do të ishte e preferueshme që pretendimet e palëve, nëse kanë, të paraqiten me shkrim në Kolegj, nëpërmjet adresës elektronikë, përpara zhvillimit të seancës së ardhshme gjyqësore.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.