Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 02.10.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 23/2019, datë 08.05.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 112, datë 04.03.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Dritan Peka.
Kryesuesja e seancës bëri me dije se në përmbushje të detyrave të lëna në seancën paraardhëse, subjekti i rivlerësimit kishte depozituar në Kolegj në mënyrë elektronike, prapësimet e tij lidhur me analizën financiare të kryer nga Kolegji, me kërkesë të Komisionerit Publik.
Në qëndrimin e tij lidhur me këtë analizë financiare, Komisioneri Publik shprehu dakordësinë për një pjesë të zërave, ndërsa kundërshtoi përllogaritjet për gjendjen e likuiditeteve cash, të deklaruara nga subjekti i rivlerësimit në deklaratat periodike të viteve 2005 dhe 2010-të.
Nga ana e tij, subjekti i rivlerësimit, prapësimet e tij lidhur me analizën financiare, i mbështeti në 16 akte të reja, të cilat i paraqiti pranë trupit gjykues.
Trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet e reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.
Pas deklarimit të palëve për mospasje të kërkesave shtesë, trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare më datë 08.10.2020, ora 10:00. Në këtë seancë, së bashku me konkluzionet përfundimtare, Komisioneri Publik do të shprehë qëndrimin e tij edhe në lidhje me provat e reja të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit lidhur me analizën financiare.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.