Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 08.10.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 23/2019, datë 08.05.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 112, datë 04.03.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Dritan Peka.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore palët paraqitën konkluzionet përfundimtare. Komisioneri Publik deklaroi se provat e reja të sjella nga subjekti i rivlerësimit, kanë qenë bindëse sa i përket vlerësimit të kriterit profesional. Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 04.03.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Dritan Peka, bazuar në vlerësimin e kriterit të pasurisë. Komisioneri Publik deklaroi se z. Peka ka kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit për këtë kriter.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit paraqiti prapësimet për shkaqet e ankimit dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 112, datë 04.03.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin e tij në detyrë.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 22.10.2020, ora 13.00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.