Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 11.11.2020, ora 12:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 57/2019, datë 11.11.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit e kundërankimit të subjektit të rivlerësimit Elvin Gokaj, kundër vendimit nr. 187, datë 24.07.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Kryesuesja e trupit gjykues konfirmoi dërgimin pranë Kolegjit, nga Komisioneri Publik, të analizës së re financiare, në përmbushje të detyrave të lëna nga trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, në seancën e datës 6 nëntor 2020 dhe vënien në dispozicion të kësaj analize, subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit konfirmoi njohjen me analizën financiare të Komisionerit Publik dhe kundërshtoi rezultatet e kësaj analize, duke deklaruar se bashkëshortja e tij kishte vetëm tagrin e përfaqësimit në depozitat dyemërore dhe jo atë të bashkëpronësisë.
Trupi gjykues, pasi dëgjoi prapësimet e subjektit të rivlerësimit dhe pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera, mbylli shqyrtimin gjyqësor të cështjes dhe ftoi palët të paraqisnin konkluzionet përfundimtare.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se i qëndron të gjitha shkaqeve të ankimit, pasi subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e tyre. Komisioneri Publik vlerësoi se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm sa i përket kriterit të pasurisë dhe i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 187, datë 24.07.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Përfaqësuesja ligjore, në emër të subjektit të rivlerësimit, hodhi poshtë të gjitha shkaqet e ankimit dhe i kërkoi Kolegjit mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 18.11.2020, ora 12.00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.