Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 23.02.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2019, datë 29.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Artan Madani.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mungesën e Komisionerit Publik z. Florian Ballhysa që ka ushtruar ankimin në çështjen (JR) nr. 55/2019, datë 29.10.2019.
Në mungesë të tij, Komisioneri Publik z. Darjel Sina ishte i pranishëm në seancë për të bërë me dije se z. Ballhysa kishte njoftuar zyrtarisht Kolegjin që, për arsye shëndetësore, e kishte të pamundur pjesëmarrjen në këtë seancë dhe kërkonte shtyrjen e saj për një kohë të përshtatshme.
Pasi kryesuesja konfirmoi marrjen zyrtarisht të njoftimit të dërguar nga Komisioneri Publik dhe pasi subjekti i rivlerësimit shprehu dakordësinë e tij lidhur me kërkesën e Komisionerit Publik, trupi gjykues, bazuar në nenin 175, pika 2, e Kodit të Procedurës Civile, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike për në datën 11.03.2021, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë