Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 10.03.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 46/2019, datë 25.09.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 161, datë 18.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kastriot Selita.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mungesën e Komisionerit Publik z. Florian Ballhysa, që ka ushtruar ankimin në çështjen (JR) nr. 46/2019, datë 25.09.2019. Z. Ballhysa kishte njoftuar Kolegjin nëpërmjet postës elektronike që, për arsye shëndetësore, e kishte të pamundur pjesëmarrjen në seancë dhe kërkonte shtyrjen e saj për një kohë të përshtatshme.
Duke qenë se edhe Komisioneri tjetër Publik z. Darjel Sina, po për arsye shëndetësore, e kishte të pamundur pjesëmarrjen në seancë, trupi gjykues, bazuar në nenin 175, pika 2, e Kodit të Procedurës Civile, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike për në datën 17.03.2021, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.