Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 30.03.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 28/2020, datë 10.07.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 231, datë 29.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anton Martini.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit paraqiti një kërkesë paraprake, nëpërmjet së cilës, i kërkoi trupit gjykues shqyrtimin e mospranimit të ankimit të Komisionerit Publik.

Pasi u tërhoq për konsultim, trupi gjykues vendosi që kërkesa e subjektit të rivlerësimit në lidhje me objektin e ankimit të tij, do të trajtohet në kuadër të vlerësimit tërësor të ankimit të Komisionerit Publik, bazuar në kërkesat e nenit 450, paragrafi i tretë, i Kodit të Procedurës Civile.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik vlerësoi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë lidhur me kriterin e pasurisë dhe atë të aftësive profesionale, dhe se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është i cënueshëm në tërësinë e tij. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit marrjen në konsideratë të shkaqeve të ankimit, ndryshimin e vendimit nr. 231, datë 29.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Anton Martini.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit paraqiti fillimisht, parashtrimin e tij lidhur me mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik, duke pretenduar se ky ankim është kryer jashtë afatit ligjor prej 15-ditësh.

Në vijim, përfaqësuesi ligjor dhe subjekti i rivlerësimit paraqitën në mënyrë të detajuar kundërshtitë e tyre në përgjigje të ankimit të Komisionerit Publik, duke depozituar edhe akte të reja në funksion të shqyrtimit të çështjes.

Pasi dëgjoi parashtrimet e palëve, trupi gjykues vendosi t’u vërë në dispozicion Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit tri denoncime të publikut dhe u kërkoi të shprehen lidhur me to, në aspektin formal, në seancën e radhës që do të zhvillohet më datë 01.04.2021, ora 14:00. Trupi gjykues i kërkoi Komisionerit Publik që po në këtë seancë, të shprehet edhe lidhur me anën formale të akteve të reja të paraqitura në seancën e sotme nga subjekti i rivlerësimit.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.