Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 29.04.2021, ora 15:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2019, datë 29.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Artan Madani.
Në qëndrimin e tij lidhur me aktet e ardhura nga shteti grek në formën e kërkuar nga ligji, të pranuara në cilësinë e provës nga trupi gjykues në seancën e mëparshme, Komisioneri Publik deklaroi se ato nuk provojnë ndonjë rrethanë të ndryshme nga rrethanat e parashtruara në shkaqet e ankimit, as nuk ndryshojnë qëndrimin e Komisionerit Publik lidhur me çështjen.
Pas konfirmimit të palëve se nuk kanë kërkesa shtesë, kryesuesja e seancës deklaroi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se edhe pas provave të reja, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit sa i përket kriterit të pasurisë. Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Artan Madani.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kundërshtoi konkluzionet e Komisionerit Publik, duke deklaruar se provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit gjatë gjithë procesit, evidentojnë qartazi burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë së tij. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi palët, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 12.05.2021, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.