Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 27.05.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 28/2020, datë 10.07.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 231, datë 29.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anton Martini.

Në vijim të seancës së mëparshme, kryesuesi i trupit gjykues u bëri me dije palëve përgjigjet e ardhura nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier dhe Gjykata e Apelit Vlorë, me kërkesë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Pasi kryesuesi i seancës bëri me dije edhe mbërritjen në Kolegj të një denoncimi të ri në adresë të subjektit të rivlerësimit, i cili, po ashtu u ishte përcjellë palëve, Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit konfirmuan njohjen me dokumentacionin në tërësi.

I konsultuar në vend, trupi gjykues vendosi të lejojë marrjen në cilësinë e provës të dokumentacionit të ardhur në Kolegj nga institucionet dhe ftoi palët të mbajnë qëndrimin e tyre lidhur me provat e reja.

Bazuar në nenin F, pikat 3 dhe 7 të Aneksit të Kushtetutës dhe në nenin 66 të ligjit 84/2016, Komisioneri Publik deklaroi se edhe pas provave të reja, vazhdon t’i qëndrojë kërkimit të tij, shkaqeve të ankimit, si dhe parashtrimeve të tij në seancat e mëparshme të zhvilluara në Kolegj.

Subjekti i rivlerësimit paraqiti kundërshtitë e tij lidhur me parashtrimin e Komisionerit Publik, duke i cilësuar përcaktimet dhe konkluzionet e tij të gabuara, të pavërteta dhe jo korrekte.

Pasi palët, të pyetura nga kryesuesi i seancës, deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera shtesë dhe prova të tjera në interes të gjykimit, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e ardhshme që do të zhvillohet më datë 01.06.2021, ora 10:00.

Bazuar në procedurat e deritanishme të zhvillimit të seancave gjyqësore, sipas të cilave, palët paraqesin në të njëjtën seancë konkluzionet përfundmitare, trupi gjykues nuk pranoi kërkesën e subjektit të rivlerësimit për paraqitjen e tyre, dy ditë pas paraqitjes së konkluzioneve nga ana e Komisionerit Publik.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.