Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 13.07.2021, ora 08:30, seancën gjyqësore publike të çështjes që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besim Hajdarmataj [(JR) 3/2020, datë 14.01.2020].
Kryesuesja e seancës bëri me dije se subjekti i rivlerësimit, bazuar në nenin 302 të Kodit të Procedurës Civile, ka paraqitur në Kolegj një kërkesë, nëpërmjet së cilës kërkon kohë shtesë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare. Kryesuesja njoftoi gjithashtu se Komisioneri Publik i ka përcjellë Kolegjit një denoncim të ardhur në adresë të subjektit të rivlerësimit dhe ky i fundit është njohur zyrtarisht me të.
Komisioneri Publik deklaroi se e lë në çmim të gjykatës vlerësimin e kërkesës së subjektit të rivlerësimit, ndërsa sa i përket denoncimit, bazuar në nenin 4, paragrafi i dytë, të ligjit 84/2016, deklaroi se duhet të trajtohet si pjesë e vlerësimit tërësor të çështjes, në funksion të kriterit të figurës.
Subjekti i rivlerësimit, gjatë parashtrimeve të tij, kundërshtoi komentet e bëra nga vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit gjatë seancës së mëparshme, ndërsa denoncimin e konsideroi të pavlefshëm për shqyrtimin e çështjes.
Trupi gjykues, pasi u njoh me versionin origjinal të denoncimit dhe pasi u tërhoq për konsultim, vendosi të mos marrë në konsideratë denoncimin, pasi në të, nuk gjenden elementë të mjaftueshëm për t’u hetuar.
Trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit për kohë shtesë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, duke shtyrë seancën për në datën 16.07.2021, ora 10:30.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.