Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 30.07.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 53/2019, datë 25.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 183, datë 19.07.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Petrit Çano
Kryesuesja e trupit gjykues bëri te ditur se nëpërmjet Vëzhguesit Ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është paraqitur një denoncim i ri, nga i njëjti person që kishte paraqitur denoncimin e parë, i cili i ishte përcjellë Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit. Ajo ftoi palët të shpreheshin në lidhje me detyrat e lëna në seancën paraardhëse, si dhe në lidhje me denoncimin e dytë.
Komisioneri Publik u shpreh se nga institucioni verifikues nuk i ishte mundësuar njohja me informacionin e klasifikuar, prandaj gjendej në te njëjtat kushte si në seancën paraardhëse. Në lidhje me denoncimin e ri, duke qenë se rrethanat faktike janë të njëjta me ato të denoncimit të parë, konsideroi se trupa gjykuese e ka trajtuar tashmë këtë denoncim.
Edhe Vëzhguesi Ndërkombëtar u shpreh se nuk kishte mundur të merrte informacionin e kërkuar pranë institucionit përkatës.
Në lidhje me denoncimin, edhe subjekti i rivlerësimit u shpreh se duke qene se është bërë nga i njëjti person, për të njëjtat fakte, trupa e ka trajtuar tashmë këtë denoncim, dhe nuk ka komente për të.
Lidhur me vlerësimin e kontrollit të figurës, subjekti u shpreh se në pamundësi për t’u njohur me aktet përkatëse që kanë çuar në ndryshimin e vlerësimit të figurës nga i përshtatshëm në i papërshtatshëm, gjendej ne pamundësi absolute për t’u mbrojtur përpara gjykatës, në kuptim të nenit 6/1 te GJEDNJ. Ndërkohë, subjekti i rivlerësimit, në funksion te mbrojtjes së tij, u shpreh se në muajin gusht 2020 është pajisur me certifikate sigurie te tipit “tepër sekret”, duke shtuar se vetë marrja e saj tregon verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse për lëshimin e një certifikatë të tillë.
Trupa gjykuese pasi u këshillua, vendosi të konfirmojë vendimin e mëparshëm të marrë nga trupi gjykues, që lidhet me denoncimin e z. N. LL., duke konstatuar që edhe denoncimi i ri nuk plotëson kriteret e përcaktuara nga neni 53, i ligjit nr. 84/2016.
Në përfundim, trupa gjykuese vendosi të shtyjë seancën e radhës për datën 8 shtator, në orën 12:00, me qëllim që t’i krijohet mundësia institucionale Komisionerit Publik të njihet me informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.