Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 3.08.2021, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 200, datë 16.10.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj.[(JR) 3/2020, datë 14.01.2020].
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, Kryesuesja e trupit gjykues, bëri me dije se Komisioneri Publik, z. Darjel Sina, i cili kishte ushtruar ankimin e sipërcituar, kishte njoftuar pamundësinë objektive për të marrë pjesë në seancë dhe se do të përfaqësohej nga Komisioneri Publik, z. Florian Ballhysa.
Në vijim, kryesuesja e seancës pasi konfirmoi se Komisioneri dhe subjekti kanë marrë të dhënat e përcjella nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) më 30.07.2021 pas kërkesës së Kolegjit, i ftoi ata të paraqisin qëndrimet e tyre.
Në vijim, në përgjigje të pyetjeve të adresuara nga trupi gjykues dhe përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit, Komisioneri Publik u qëndroi shkaqeve të ankimit dhe kërkimit të bisedimeve përfundimtare, të parashtruara në seancën e datës 16.7.2021. Subjekti i rivlerësimit po ashtu konfirmoi kërkimin e tij për lënien në fuqi të vendimit të Komisonit objekt shqyrtimi.
Trupi gjykues, në përfundim të sa më sipër, e deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë nesër, më datë 4.8.2021, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.