Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 08.09.2021, ora 12:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 53/2019, datë 25.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 183, datë 19.07.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Petrit Çano.
Komisioneri Publik dhe vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit bënë me dije se ishin njohur me interpretimin ligjor dhe kushtetues të autoritetit informues, si dhe se nuk ishte bërë e mundur njohja e tyre me informacionin e klasifikuar ”sekret shtetëror” që çoi në ndryshimin e raportit të vlerësimit të figurës nga i përshtatshëm, në i papërshtatshëm.
Meqenëse dy seanca të kësaj çështjeje janë shtyrë për njohjen me shkakun që çoi në përditësimin e raportit të vlerësimit të figurës, Komisioneri Publik deklaroi se e lë në çmim të gjykatës vlerësimin mbi këtë shkak, duke nënvizuar që trupi gjykues ta mbajë në vëmendje në kuadër të hetimit gjyqësor të çështjes.
Edhe përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit deklaroi se e lë në çmim të gjykatës vlerësimin e shkakut që çoi në ndryshimin e raportit të vlerësimit të figurës për z. Petrit Çano.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin prova dhe kërkesa të reja në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe u kërkoi palëve paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Me kërkesë të palëve, për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 14.09.2021, ora 14:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.