Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 04.10.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 60/2020, datë 18.12.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 316, datë 17.11.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ibrahim Hoxha.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mos prezencën e subjektit të rivlerësimit apo të ndonjë përfaqësuesi ligjor të tij, duke bërë të ditur se subjekti i rivlerësimit ka konfirmuar me e-mail marrjen dijeni për zhvillimin e kësaj seance.

Për vazhdimin e seancës në mungesë të subjektit të rivlerësimit, kryesuesja e trupës kërkoi opinionin e Komisionerit Publik z. D. Sina, i cili kërkoi që seanca të vazhdojë. Pas konsultimit në vend, trupa vendosi me vijimin e seancës duke ja dhënë fjalën Komisionerit Publik për të paraqitur shkaqet e ankimit.

Komisioneri Publik, në vijim të shkaqeve të ankimit, parashtroi se procesi i rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit nuk mund të deklarohet i mbyllur pa vendim përfundimtar, për shkak se subjekti ka humbur statusin e magjistratit. Ai kërkoi nga trupa gjykuese prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe urdhërimin e KPK-së të klasifikojë të papërfunduar procesin e rivlerësimit për z. Hoxha.

Pas konsultimeve, gjyqtarja relatore i drejtoi disa pyetje Komisionerit Publik në lidhje me ndryshimin e kërkimit të ankimit, dispozitat ligjore të shkelura nga Komisioni, bazën ligjore ku mbështet ankimi dhe parashtrimet e paraqitura në seancën e sotme, etj., për të cilat z. Sina dha përgjigjet përkatëse.

Në përfundim, trupa gjykuese, pas konsultimit në vend, vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për t’i komunikuar subjektit të rivlerësimit kërkimet e paraqitura nga Komisioneri Publik në seancën e sotme.

Për këtë arsye, seanca gjyqësore u shty për në datën 13.10.2021, ora 10:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.