Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 13.10.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 60/2020, datë 18.12.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 316, datë 17.11.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ibrahim Hoxha.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mosprezencën e subjektit të rivlerësimit apo të ndonjë përfaqësuesi ligjor të tij, duke bërë të ditur se subjekti i rivlerësimit nuk ka paraqitur ndonjë shkak të arsyeshëm për mungesën e tij. Në këto kushte, pas dakordësisë edhe të Komisionerit Publik, seanca vijoi në mungesë të subjektit të rivlerësimit.
Pasi Komisioneri Publik deklaroi se nuk ka kërkesa të tjera shtesë, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi Komisionerin Publik të paraqesë konkluzionet përfundimtare.
Si konkluzione përfundimtare, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit:
- Të marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit, duke vlerësuar se rrathanat faktike janë të tilla që të çojnë në zbatimin e nenit 66, pika c, e ligjit nr.84/2016, dhe të vendosë: prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 316, datë 17.11.2020, që i përket subjektit të rivlerësimit Ibrahim Hoxha, duke urdhëruar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të klasifikojë të papërfunduar procesin e rivlerësimit që i përket z.Ibrahim Hoxha.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë ditën e nesërme, më datë 14.10.2021, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.