Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, më datë 19.10.2021, është regjistruar çështja JD nr. 9/2021, me kërkues Hasan Roqi dhe me objekt:
“- Marrjen e masave disiplinore, penale, civile, administrative nga KPA, në respekt të nenit 128 pika 1; pika 2 shkronja a); pika 3, shkronja c; të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ndaj shkeljes së rëndë nga antarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në dhënien e vendimit nr. 86, datë 22 qershor 2021 të Gjykatës Kushtetuese.
– Shpallja antikushtetuese e vendimit nr. 86, datë 22 qershor 2021 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
– Gjykimi i drejtë, nga KPA, në përputhje me kërkesat e Kushtetutës së RSH, Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të gjashtë kërkesave të parashtruara nga kërkuesi me datë 25 mars 2021, para Gjykatës Kushtetuese të RSH, sipas subjekteve të interesuara, objektit ku përfshihet shpërblimi i dëmit dhe bazës ligjore shoqëruese me dokumentacionin provues përkatës të saj.
– Të gjëndur para një vendimi, që përkrah veprimet e paligjshme, drejtësinë e korruptuar në një shtet të kapur dhe, në mënyrën më arbitrare duke shkelur hapur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenet 6.1; 8; 13, 14; 41 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ku Autoriteti i Lartë Kontraktual shqiptar si pjesë e Konventës Evropiane prë të Drejtave të Njeriut, ka krijuar zhgënjim, dëshpërim dhe sjellë në gjëndje të rëndë shoku, viktimat e familjes Roqi, banesa e të cilëve u grabit me dhunë kriminale shtetërore, ne shkelje të vendimit 76/2000 të Gjykatës Kushtetuese dhe ligjit të veçantë. Të gjëndur para diskriminimit publik, ripersekucionit politik, shkeljes së barazisë para ligjit, veçimin social e shoqëror të përkrahur këto veprime nga vendimi nr. 86 datë 22.06.2021 i Gjykatës Kushtetuese kërkojmë:
– Shpërblimin e dëmit psiko-moral në shumën e 5 pagave mujore nga secili nga antarët e Gjykatës Kushtetuese, për llogari të viktimave të familjes Roqi.
– Marrja e masave të sigurisë për ruajtjen e jetës së viktimave të familjes Roqi, H.R., L.R., S.R., K.R., nga shkelësit e Kushtetutës së Republikës se RSH, Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese.”
Në datën 26.10.2021 u hodh shorti për caktimin e relatorit dhe anëtarëve të Kolegjit të shqyrtimit paraprak:
Sipas shortit, rezultojnë të jenë anëtarë të Kolegjit të shqyrtimit paraprak:
Gjyqtare: Ina Rama
Gjyqtare: Albana Shtylla
Relator i çështjes: Sokol Çomo