Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 01.11.2021, ora 14:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 43/2020, datë 30.09.2020 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 273, datë 10.07.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Alkelina Gazidedja.
Komisioneri Publik deklaroi se katër vendimet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mbi çështje të gjykuara prej subjektit të rivlerësimit, nuk ndikojnë në shkaqet e ankimit që lidhen me vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Gazidedja, depozitoi parashtrimin e saj lidhur me një denoncim të vënë në dispozicion nga Kolegji, si dhe akte të reja në funksion të shqyrtimit të çështjes, të cilat u lejuan të merren në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera shtesë, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.
Me kërkesë të Komisionerit Publik për një kohë të arsyeshme për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 09.11.2021, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.