Njoftim
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, më datë 01.11.2021, është regjistruar çështja JD nr. 10/2021, me kërkues Hasan Roqi dhe me objekt:
– Marrja e masave disiplinore, penale, civile, administrative, nga KPA, në respekt të nenit 128 pika 1; pika 2 shkronja a); pika 3 shkronja c; të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ndaj shkeljes së rëndë nga antarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në dhënien e vendimeve: Nr. 86, datë 22 qershor 2021; Nr. 86/1, datë 28 shtator 2021 dhe vendimi Nr. 111, datë 28 shtator 2021 të Gjykatës Kushtetuese.
– Shpallja antikushtetuese e vendimit Nr. 86, datë 22 qershor 2021; vendimit Nr. 111, datë 28 shtator 2021 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
– Gjykimi i drejtë, nga KPA, në përputhje me kërkesat e Kushtetutës së RSH, Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të gjashtë kërkesave të parashtruara nga kërkuesi më datë 25 mars 2021, para Gjykatës Kushtetuese të RSH, sipas subjekteve të interesuara, objektit ku përfshihet shpërblimi i dëmit dhe bazës ligjore shoqëruar me dokumentacionin provues përkatës të saj.
– Të gjendur para një vendimi, që përkrah veprimet e paligjshme, drejtësinë e korruptuar në një shtet të kapur dhe, në mënyrën më arbitrare duke shkelur hapur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenet 6.1; 8; 13; 14; 41 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ku Autoriteti i Lartë Kontraktual shqiptar si pjesë e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriu, ka krijuar zhgënjim, dëshpërim dhe sjellë në gjendje të rëndë shoku, viktimat e familjes Roqi, banesa e të cilëve u grabit me dhunë kriminale shtetërore, në shkelje të vendimit 76/2000 të Gjykatës Kushtetuese dhe ligjit të veçantë. Të gjendur para diskriminimit publik, ripersekucionit politik, shkeljes së barazisë para ligjit, veçimit social e shoqëror të përkrahura këto veprime nga vendimi nr. 86, datë 22 qershor 2021 dhe nr. 111, datë 28 shtator 2021 i Gjykatës Kushtetuese kërkojmë:
Shpërblimin e dëmit psiko-moral në shumën e 5 pagave mujore nga secili nga antarët e Gjykatës Kushtetuese, për llogari të viktimave të familjes Roqi.
– Në kushtet kur Gjykata Kushtetuese ka marrë mbi vete për herë të dytë, përgjegjësinë e shkeljes flagrante të nenit 6.1; nenit 8; nenit 13; nenit 14; nenit 41, Konventa Evropiane e të Drejtave Njeriut, kërkoj që dëmi moral e material prej 118 muaj nga nxjerrja me dhunë kriminale shtetërore nga banesa, pagesa për privatizimin e një banese në kushte të barabarta me antarët e Gjykatës Kushtetuese, qeveritarët dhe parlamentarët, pagesa për vonesën e qëllimshme të ekzekutimit të vendimit 76/2000 të Gjykatës Kushtetuese, të bëhet nga xhepat e antarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe jo nga taksapaguesit shqiptarë.
– Marrja e masave të sigurisë për ruajtjen e jetës së viktimave të familjes Roqi, H. R., L. R., S. R., K. R. nga shkelësit e Kushtetutës së RSH, Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese.
Në datën 08.11.2021 u hodh shorti për caktimin e relatorit dhe anëtarëve të Kolegjit të shqyrtimit paraprak:
Sipas shortit, rezultojnë të jenë anëtarë të Kolegjit të shqyrtimit paraprak:
Gjyqtar: Ardian Hajdari
Gjyqtare: Rezarta Schuetz
Relator i çështjes: Sokol Çomo