Njoftim
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 08.11.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 12/2021, datë 03.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Sokol Ngresi.
Në vijim të seancës se mëparshme, në lidhje me ekzaminimin grafik të dokumenteve objekt ekspertimi, kryesuesja e seancës bëri me dije se akti i ekspertimit i Institutit të Drejtorisë së Policisë Shkencore ishte depozituar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më datë 04.11.2021, dhe u ishte dërguar për njohje ONM-së, Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit.
Ekspertët grafikë të Institutit të Drejtorisë së Policisë Shkencore, të pranishëm në seancë, u shprehën për aktin e ekspertimit, duke konfirmuar falsifikimin e nënshkrimeve dhe akteve përkatëse.
Trupa gjykuese vendosi administrimin e aktit të ekspertimit të datës 04.11.2021.
Në vijim të seancës, kryesuesja e seancës bëri të ditur se pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë paraqitur tre denoncime, duke i ftuar palët të shpreheshin për to.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi:
– Të deklarojë të falsikuara aktet që iu nënshtruan ekspertizës dhe në zbatim të nenit 280 /1 të Kodit të Procedurës Civile, vendosi t’i përjashtojë nga konsiderimi me cilësinë e provës në këtë proces.
– Në zbatim të nenit 275/2 të Kodit të Procedurës Civile, këto akte të shenjohen të falsifikuara dhe të ruhen në arkivin e gjykatës bashkë me këtë vendim.
-Në zbatim të neneve 281/3 të Kodit të Procedurës Penale dhe neneve 245 e 271 të Kodit Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi të depozitojë kallëzim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për shtetasin F. K për kryerjen e veprës penale të dëshmisë së rreme parashikuar nga neni 306 i Kodit Penal dhe falsifikimit të dokumenteve me anë të përdorimit të tij i parashikuar nga neni 186 të Kodit Penal.
– Të mos hetojë më tej lidhur me tri denoncimet e depozituara rishtas në Kolegj.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa shtesë, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës që do të mbahet në datën 16.11.2021, ora 10.00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.